75 Mall Live Search
13:10 / E Diele, 05 Tetor 2025 / Burim

Transplantohet për herë të parë te njeriu një veshkë e modifikuar me grup gjaku “universal”

Revista prestigjioze shkencore, Nature ka raportuar se shkencëtarët kanë arritur të ndryshojnë grupin e gjakut të një veshke donatori dhe ta transplantojnë me sukses te një njeri. Kjo procedurë — e para në llojin e saj — mund të hapë një epokë të re në transplantet e organeve, pasi do ta bëjë të mundur që grupi i gjakut i donatorit të mos jetë më pengesë për përputhshmërinë.

Aktualisht, organet e dhuruara mund të transplantohet vetëm te persona me grup gjaku të përputhshëm.

Arsyeja është se sistemi imunitar i marrësit mund të prodhojë antitrupa që sulmojnë organin e huaj, nëse donatori dhe marrësi kanë antigjene të ndryshme — të cilat ndahen në dy lloje: A dhe B. Organet me grup gjaku O nuk kanë as antigjene A, as B, prandaj mund të përdoren për këdo.

Një ekip studiuesish nga Kanadaja dhe Kina përdori një enzimë të veçantë për të hequr antigjenet e tipit A nga një veshkë donatori, duke e kthyer atë në tip O.

“Kjo enzimë konverton gjakun e tipit A në tip O,” shpjegoi Stephen Withers, kimist në Universitetin e British Columbia në Vancouver, Kanada. Veshka e përpunuar u transplantua më pas te një burrë 68-vjeçar me vdekje cerebrale në Chongqing, Kinë.

Organi qëndroi funksional për dy ditë dhe prodhoi urinë për gjashtë ditë, përpara se të shfaqte shenja refuzimi. Rezultatet u publikuan sot në revistën Nature Biomedical Engineering.

Kjo enzimë u zbulua fillimisht në vitin 2019 nga disa anëtarë të të njëjtit ekip. Në vitin 2022, ata demonstruan se edhe një mushkëri e tipit A mund të konvertohej në tip O, megjithëse ajo nuk u transplantua te një person.

Këto zbulime janë historike, tha Natasha Rogers, mjeke transplantesh në Spitalin Westmead në Sidnej, Australi. Sipas saj, ato mund të përmirësojnë qasjen në organet donatore dhe të shkurtojnë ndjeshëm listat e pritjes.

Nëse grupi i gjakut nuk do të ishte më një kufizim, mjekët do të mund të fokusoheshin në përputhjen e antigjeneve të tjera që ndikojnë në jetëgjatësinë e transplantit.