75 Mall Live Search
12:42 / E Enjte, 20 Mars 2025 / FR

Transportuesit llapjanë gjobiten me nga 300 euro, edhe pse bënë marrëveshje me Komunën e Prishtinës (Dokument)

Edhe pse transportuesit llapjanë kanë kaluar pikërisht në rrugët e përcaktuara në marrëveshjen me Komunën e Prishtinës, ata sërish janë gjobitur, shkruan IndeksOnline.

Arsyeja për këtë, sipas transportuesve, është mungesa e tabelave informuese nga ana e komunës, e cila nuk ka vendosur shenjat që përcaktojnë itinerarin e ri të lejuar.

Si pasojë, transportuesit janë ndëshkuar me gjoba prej 300 eurosh, si dhe u janë marrë tabelat e autobusëve.

Marrëveshja e arritur parashikon që linja nga Podujeva të kalojë përmes rrugës së Zagrebit (ish-Tjegullorja), rrugës “Boro Ramizi”, stacionit të trenit dhe më pas stacionit të autobusëve. Megjithatë, deri tani nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar për udhëtarët dhe autoritetet që kontrollojnë trafikun.

Pas kësaj për në stacionin policor është shoqëruar kryetari i Shoqatës së Transportit, Beqir Mustafa.

Transportuesit po kërkojnë nga komuna që të vendosë sa më shpejt tabelat informuese për të shmangur penalizimet e padrejta dhe konfuzionin në qarkullim./IndeksOnline/