“Trashëgimia e tij nuk do të vdesë kurrë”, bashkëshortja e Charlie Kirk shpërthen në lot: Zëri i tij do të dëgjohet

Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit konservator Charlie Kirk, ka mbajtur një fjalim emocionues disa ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj gjatë një eventi publik në Utah.
Duke folur në një transmetim live nga selia e organizatës “Turning Point USA”, ajo qëndronte pranë karriges bosh të burrit të saj, ku ai regjistronte podcast-in. Në lot, ajo falënderoi ekipet mjekësore dhe autoritetet për përpjekjet për ta shpëtuar atë.
“Trashëgimia e tij nuk do të vdesë kurrë. Zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohet,” u shpreh ajo.
Erika, e cila ishte në audiencë bashkë me dy fëmijët e tyre të vegjël në momentin e të shtënave, tha se bashkëshorti i saj e donte mbi të gjitha familjen, por edhe presidentin Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance, të cilët ndihmuan në kthimin e trupit në Arizona.
“Nëse menduat se misioni i tij ishte i fuqishëm deri tani… nuk keni parë asgjë ende,” tha ajo, duke iu drejtuar atyre që e qëlluan.
Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një nga figurat më të njohura të lëvizjes konservatore të re në SHBA. Ai u qëllua për vdekje gjatë një eventi universitar në Orem, Utah, teksa fliste për çështje si dhuna me armë dhe të drejtat e komunitetit transgjinor.
Presidenti Trump ka njoftuar se do t’i japë atij Medaljen Presidenciale të Lirisë pas vdekjes, duke e cilësuar një “kampion të lirisë” dhe “gjigand të brezit të tij”.
Turning Point USA e përshkroi atë si një “dëshmor” të kauzës konservatore.