75 Mall Live Search
20:41 / E Martë, 03 Maj 2022 / LB

Tre gabimet e portierëve që e ndihmuan Milanin në luftën për titull në Serie-A

Milani ka bërë hapa të mëdhenj në javët e fundit në luftën për titull këtë sezon ku po ballafaqohet kokë më kokë me rivalin lokal Interin, por tre gabime specifike nga portierët kundërshtarë i kanë rritur ndjeshëm shanset e tyre për ta arritur këtë objektiv.

“Rossonerët” aktualisht janë në krye të tabelës së Serie A pas 35 ndeshjesh, dy pikë përpara Interit të vendit të dytë kur kanë mbetur vetëm edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit.

Kuqezinjtë kanë bërë paraqitje të mira nën drejtimin e Stefano Piolit dhe titulli do të ishte një shpërblim i madh pas një udhëtimi kaq të gjatë.

Tre gabime të veçanta nga portierët kanë ndikuar drejtëpërdrejtë në shpresat e Milanit për titull. Duke filluar me gabimin e Alex Meret në ndeshjen e Napolit ndaj Empolit. Atij iu grabit topi nga sulmuesi Andrea Pinamonti, i cili shënoi golin e barazimit përpara se të shënonte edhe golin e fitores disa momente më vonë, duke i dhënë fund në thelb ecurisë Napolit në luftën për titull.

Gabimi tjetër i madh u bë nga Ionut Radu; portieri i Interit bëri një lëshim katastrofik në ndeshjen kundër Bolonjës, duke lejuar Nicola Sansone të shënonte golin e fitures dhe kjo ndikoi direkt që Milani të mbejet në krye të tabelës me dy pikë më shumë se “neroazzurrët”.

Gabimi i fundit që shkoi në favor të Milanit ishte gabimi i Pietro Terracciano në fitoren 1-0 të kuqezinjve të dielën ndaj Fiorentinës, duke i lejuar ata të ruajnë avantazhin prej dy pikësh në fazën e fundit të sezonit.

Në tre ndeshjet e mbetura, kampioni aktual Interi ballafaqohet me Empolin, Cagliarin dhe Sampdoria, kurse Milani ndeshet me Veronan, Atalantën dhe Sassuolon.