“Tre Luanët” kërkojnë fitore, Danimarka e Serbia luftojnë për kualifikimin, nisin duelet në “Euro 2024”

Ishte një fazë spektakolare, por për fat të keq po shkon drejt fundit, teksa këtë të martë do të mbyllen zyrtarisht edhe dy grupe të tjera në Euro 2024.
Skuadrat e Grupit C, Angli-Slloveni, dhe Danimarkë-Serbi do të zhvillojnë sfidat e xhiros së tretë, të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Kështu, në “RheinEnergieStadion” të Këlnit, “Tre Luanët” e Gareth Southgate do të përballen me Slloveninë, në një përballje që mund t’i sigurojë lehtësisht vendin e parë në grup.
Në krahun tjetër, Danimarka do të ndeshet me Serbinë, me “Vikingët” që kërkojnë të vijojnë me spektakël ecurinë e tyre, në finalet e këtij Kampionati Evropian dhe këtë gjë mund ta bëjnë nëse arrijnë të kalojnë Serbinë.
Të dyja këto skuadra kanë nevojë për një fitore për të grumbulluar pikët e nevojshme për të siguruar kalimin më tej.