23:27 / E Mërkurë, 11 Tetor 2023 / Gj. Sh

Tre milionë bileta në shitje, ja si do kualifikohen 24 kombëtaret në “Euro 2028”

Britania e Madhe dhe Irlanda u konfirmuan zyrtarisht nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s si mikpritësit e “Euro 2028”.

Vendimi u mor të martën në Nion të Zvicrës. Më poshtë janë disa nga gjërat që duhet të dimë për turneun e radhës pas “Euro 2024”.

KUALIFIKIMI – UEFA nuk ka gjasa që t’u japë pesë vendeve organizatore biletat automatike për turneun me 24 ekipe. Anglia do ta kërkojë vetë që të kualifikohet përmes eliminatoreve, sepse “FA” është e prirur ta mbajë ekipin konkurrues në prag të finaleve.

UEFA ka rezervuar dy bileta automatike për vendet pritëse nëse ndonjë nga pesë kombëtaret e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës nuk kualifikohet sipas meritës, por “FA” i ka thënë tashmë UEFA-s se Anglia dëshiron të kalojë përmes rrugës së kualifikueseve.

Nëse më shumë se dy nga pesë kombëtaret mikpritëse nuk ia dalin, vetëm dy me rekordin më të mirë do të sigurojnë biletat automatike. Pra, nuk ka garanci që të pesta kombëtaret do të luajnë në finale. Si gjithmonë, pjesa tjetër e kombëtareve që kërkojnë të arrijnë në “Euro 2028” do të duhet të kalojnë fazën e kualifikueseve.

BILETAT – Ndërsa biletat nuk kanë dalë ende në shitje, rreth tre milionë bileta do të jenë të disponueshme, më shumë se çdo kampionat Europian në histori. Biletat për “Euro 2028” do të jenë në treg për t’u blerë një vit përpara nisjes së turneut.

STADIUMET – “Old Trafford” do të jetë një nga stadiumet e profilit të lartë që do të mungojë në organizimin e ndeshjeve të “Euro 2028”. Dhjetë stadiume janë propozuar për të organizuar ndeshjet e “Euro 2028” në të gjithë Britaninë, duke përfshirë dy të cilat nuk janë ndërtuar ende: “Bramley-Moore Dock” i Evertonit dhe “Casement Park” në Belfast.

Stadiumi më modern i Mançesterit, “Etihad”, i cili është impianti i Sitit, është zgjedhur përpara stadiumit të rivalëve të Junajtidit, pavarësisht se ka një kapacitet prej 53.400 vendesh dhe do të zgjerohet në 61.000 vende, por sërish mbetet më i vogël se kapaciteti i “Old Trafford”-it, 74.300.