14:41 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

U caktohet masa e ndalimit 3 zyrtarëve serbë, në veri

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit  në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë.

Operacioni i sotëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.

Arrestimi i tre të të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se ata kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe  “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Ndërsa përmes një njoftimi IPK-ja ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë përfunduar intervistat me të dyshuarit e arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se ata kanë kryer veprat penale: “Krim i organizuar” dhe  “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

“Zyrtarëve të arrestuar (togerit policor me inicialet Z.R, rreshterit policor N. G dhe zyrtarit policor L.V)  me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e fundit.

Ndryshe, me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25./Indeksonline/