13:08 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Tregtarët inkurajohen të promovojnë prodhimet vendore

Zëvendëskryeministri i Fatmir Limaj, bashkë me anëtarët e Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, vizitoi sot kompani vendore, me qëllim të përkrahjes së prodhuesve vendor.

Limaj, me këtë rast theksoi se qëllimi i kësaj vizite ishte fuqizimi i ndërtimit të partneritetit mes prodhuesve dhe atyre, të cilët e përcjellin mallin deri te konsumatori.

“Prodhimet vendore duhet të promovohen, sepse promovimi i prodhimit vendor nënkupton hapje të vendeve të reja të punës, shtim të buxhetit, por mbi të gjitha nënkupton shtimin e fuqisë së konsumatorit për të blerë’, theksoi zëvendëskryeministri Limaj, duke inkurajuar tregtarët që të promovojnë prodhimin e vendit tonë.

Limaj tha se Qeveria mbështetë ekonominë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë ai siguroi tregtarët dhe prodhuesit që kjo frymë optimiste që ka filluar, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të institucioneve.

Përfaqësuesi i kompanisë, Agon Gashi, tha se vizioni i kompanisë është të ofrojë përkrahje për prodhuesit vendor.

“E vetmja mënyrë për një zhvillim të mëtutjeshëm është nëse ne e përkrahim njëri -tjetrin, nëse ne i japim hapësirë njëri-tjetrit për bashkëpunim, për partneritet afatgjatë, i cili sjellë rezultate pozitive dhe ngritje të standardit të jetesës në Kosovë”, tha Gashi. /AktivPress