15:40 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Trëndafilova shpjegon si do të ndodh arrestimi i krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë në Prishtinë, ka folur rreth procedurave të arrestimit dhe paraburgimi të personave ndaj të cilëve do të ngrihen aktakuzat.

Trendafilova ka thënë se personat e arrestuar do t’u tregohen arsyet e paraburgimit dhe nuk duhet të humbet kohë për dërgimin e tyre para Gjykatës.

“Kur jemi te arrestimi dhe paraburgimi, personi që privohet nga liria nga urdhri i Prokurorit duhet të informohet për arsyet e paraburgimit dhe te nxirret para gjykatësve pa vonesë”, është shprehur ajo.

Ajo ka treguar se rregullorja parashikon rishikime të herëpashershme nga gjykatësit të përshtatshmërisë së paraburgimit dhe mbajtjes së mëtejshme në paraburgim. “Rregullorja përcakton periudhën maksimale të mbajtjes në paraburgim në fazën e hetimit deri një vit”.

I paraburgosuri, sic thotë Trendafilova, ka të drejtë të apelojë vendimin për paraburgim drejtpërsëdrejti para panelit të Gjykatës së Apelit dhe ne shkallë të fundit para panelit të gjykatës supreme.

“Ekziton mundësia e zhdëmtimit për arrestim dhe paraburgim të paligjshëm – çdo person mund t’i paraqes kryetarit një kerkesë te tillë brenda gjashtë muajsh pas daljes së vendimit në formë të prere qe konstaton arrestim ose paraburgim të paligjshëm”

“Pas transferimit në DhSK i dyshuari nxirret para një gjykatësi pa vonesë të papërligjur për rishikimin e ligjshmërisë së arrestimit ose paraburgimit. Vendimi i gjykatësve jepet brenda 48 orësh”, ka thënë kryetarja e Dhomave të Specializuara.