“Trepça” ia ndërpret kontratën punëtores, që keqpërdori pozitën dhe kërcënoi kolegët
Komisioni disiplinor i shoqërisë aksionare “Trepça” Sh.A. ka mbajtur sot shqyrtimin publik lidhur me rastin e punëtores V. SH., pas së cilit ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Sipas njoftimit zyrtar, pas shqyrtimit të provave dhe rrethanave të rastit, komisioni ka konstatuar se punëtorja V. SH. ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Konkretisht, shkeljet e konstatuara përfshijnë keqpërdorim të pozitës dhe tejkalim të autorizimeve të dhëna, si dhe kërcënim apo fyerje ndaj kolegëve dhe personave të tjerë në ambientet e punës.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Komisioni disiplinor ka shqiptuar masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”.
Nga shoqëria aksionare “Trepça” theksohet se vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të ndërmarrjes, me qëllim të ruajtjes së disiplinës, integritetit dhe mjedisit korrekt të punës.

