“Trepça” rikthen nën menaxhim të gjitha pronat e saj

Shoqëria Aksionare “Trepça” njoftoi se ka rimarrë nën menaxhim të gjitha pronat e saj.
Certifikatat e pronësisë u dorëzuan sot në duart e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti.
“Një sfidë shumëvjeçare më në fund mori zgjidhje! Për dekada, pronat e Trepçës kanë qenë të shpërndara nën 273 emërtime të ndryshme, duke e bërë të vështirë administrimin dhe zhvillimin e tyre pas luftës” thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.
Ky rikthim rezultoi me bartjen nën pronësi të 2133 pronave, më saktë 12.6 kilometrash katrorë.
“Për herë të parë pas luftës, po krijohet një regjistër i plotë dhe i detajuar për të gjitha pronat në Kosovë. Ky është një hap thelbësor për transparencën dhe menaxhimin strategjik të pasurisë së Trepçës.
Procesi do të vazhdojë edhe më tej për të përfshirë pronat e tjera që ende nuk janë regjistruar, duke siguruar një pasqyrë të qartë dhe të plotë të të gjitha aseteve të ndërmarrjes”, thuhet tutje në njoftim.
Ky është njoftimi i plotë:
Lajm i shkëlqyer për TREPÇËN!
Një hap historik në rikthimin dhe menaxhimin e pronave të Trepça Sh.A.
Sot, në një takim zyrtar, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), z. Avni Ahmeti, dorëzoi certifikatat e pronësisë për të gjitha pronat e Trepça Sh.A. në duart e z. Faton Ahmeti, Kryeshef Ekzekutiv i Trepça Sh.A.
Një sfidë shumëvjeçare më në fund mori zgjidhje! Për dekada, pronat e Trepçës kanë qenë të shpërndara nën 273 emërtime të ndryshme, duke e bërë të vështirë administrimin dhe zhvillimin e tyre pas luftës.
Rezultatet e fazës së parë të procesit:
2,133 prona janë bartur zyrtarisht në emër të Trepça Sh.A.
12.6 km² tokë është tani e konsoliduar nën pronësinë e ndërmarrjes.
Për herë të parë pas luftës, po krijohet një regjistër i plotë dhe i detajuar për të gjitha pronat në Kosovë. Ky është një hap thelbësor për transparencën dhe menaxhimin strategjik të pasurisë së Trepçës.
Procesi do të vazhdojë edhe më tej për të përfshirë pronat e tjera që ende nuk janë regjistruar, duke siguruar një pasqyrë të qartë dhe të plotë të të gjitha aseteve të ndërmarrjes.
Ky është një hap i rëndësishëm që forcon menaxhimin dhe zhvillimin strategjik të Trepçës, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe rritje të qëndrueshme.
Falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje historike!