11:02 / E Enjte, 20 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tri arsyet që Bylbyl Sokoli u nda me Llapin

Ndonëse jo e konfirmuar nga faqja zyrtare e Llapit, është më se e ditur se Bylbyl Sokoli është larguar nga posti i trajnerit.

E gjithë kjo ka ardhur gjatë ditës së sotme, duke lënë klubin nga Podujeva pa timonier të skuadrës së parë. Megjithatë, burime të IndeksOnline kanë zbuluar arsyet e largimit të papritur të Sokolit nga Llapi.

Ekzistojnë tre faktorë që kanë ndikuar që Sokoli të largohet nga Llapi.

Së pari, futbollistët e Llapit ndihen të malltretuar nga trajneri i larguar me sjelljet e tij të pahijshme në drejtim të tyre.

Më pas, një faktor tjetër kryesor është edhe takimi i trajnerit të mirënjohur me drejtuesit e Prishtinës një ditë para ndeshjes me Flamurtarin. Dhe normalisht, kjo nuk është pritur aspak mirë nga lojtarët si dhe drejtuesit e klubit llapjan. Ndeshja, Llapi – Flamurtari përfundoi pa gola, ku Sokoli nuk i kishte zgjedhur lojtarët adekuat për ta fituar ndeshjen.

Për fund, tre futbollistë kryesor të Llapit (emra të njohur për redaksinë) janë shprehur të pakënaqur me punën e Sokolit në skuadër duke kërkuar largimin e tij.

Përndryshe, Llapi pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, ndodhet në vendin e katërt me dhjetë pikë të grumbulluara./IndeksOnline/