Tri dekada nga dalja në skenë e Kombëtarës së Kosovës në futboll, Bejtush Bejta rrëfen ndjesitë e ndeshjës së parë

Ditën e sotme Përfaqësuesja e Kosovës shënoi 30 vjetorin që nga ndeshja e parë si kombëtare në futboll.
Në këtë 30 vjetor, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka organizuar një pritje për anëtarët që ishin pjesë e ekipit të ndeshjes së parë të Kombëtares.
I ftuar në këtë organizim ka qenë edhe ish-futbollisti i ekipit të parë të kombëtares, Bejtush Bejta.
Në një intervistë për IndeksOnline, Bejta ka rrëfyer mbi nostalgjinë, emocionet dhe çdo gjë tjetër që ndjenë rreth asaj dite, që për Kosovën ishte ditë historike.
‘’Emocionet ishin te përziera, se pari ato te ndjenjave që po e vizitojmë për here të parë Shqipërinë dhe se dyti ato të një ndeshjeje me rendësi të veçantë si në aspektin sportiv, njashtu edhe atë vëllazëror. Me një fjalë, shumë emocionuese dhe e rëndësishme për ne si lojtarë të asaj kohe, që ishte sa e rëndësishme po aq edhe sakrifikuese’’ tha ai.
Bejta ka folur edhe për rreziqet që kishte kjo ndeshje, për shkak të regjimit që kishte Kosova atëherë, por dëshira dhe vullneti që ta zhvillojnë këtë lojë ka qenë të mëdha, andaj edhe nuk janë ndalur.
‘’Në atë kohë, në atë vit, 1993, ishte sa stresuese, aq edhe e rrezikshme për shume arsye. Po i përmendi, disa ishim të larguar nga fushat tona të futbollit dhe kishim filluar pavarësimin e futbollit kosovar, ishte gjendje e jashtëzakonshme, e rrezikshme për ta zhvilluar aktivitetin tonë dhe e dijshim shumë mirë se çfarë pasoja mund të kemi kur të kthehemi në Kosovë nga regjimi i atëhershëm. Pra, ekzistonte stresi, frika te lojtarët, por ne kishim vendosur për të shkuar në Shqipëri dhe ta zhvillojmë këtë ndeshje historike të Kombëtarës së Kosovës dhe ishim të përgatitur edhe psiqikisht për pasojat që na pritnin pas kthimit në Kosovë, pra tek ne lojtarët mbizotëronte dëshira dhe vullneti i madh’’, theksoi Bejta.
Bejta kujton edhe momentet para fillimit të lojës.
‘’Zakonisht lojtarët ndjehen të motivuar për ndeshje, pa marrë parasysh se çfarë ndeshje do të kemi sepse ne të gjithë në atë kohë ishim profesionistë dhe dijmë se si t’i qasemi një ndeshjeje të tillë, mirëpo bisedat gjatë tunelit ishin ato se brohoritja dhe përshendetja nga ana e tifozëve do të jetë madhështore ku ashtu edhe ndodhi, ishte diçka shumë emocionale’’ tha ai për IndeksOnline.
Më tutje Bejta ndau edhe detaje për organizimin e sotëm, ku u bashkua me bashkëlojtarët e asaj kohe.
‘’Normalisht që ndjej nostalgji, ku ajo nostalgji na u shfaq edhe sot, kur u takuam ai grup i lojtarëve që ishim prezent sot, të gjithë së bashku ku evokuam ato kujtime të paharruara’’, deklaroi ai.
Ndeshja u shoqërua me momente që do të bëheshin pjesë e paharrueshme e kujtesës, e Bejta veçon faktin se ndeshja e parë po luhej me Shqipërinë, në Shqipëri.
‘’Në lojën e futbollit kemi shumë shumë momente të lumtura, të hidhura e të tjera, por momentet e mira të atij takimi të asaj ndeshjeje ishin: e para, që po zhvillojmë një ndeshje për herën e parë me një Kombetare siç ishe ajo e Shqipërisë, pastaj ishim mysafirë special në shpalljen e sportistit të vitit të Shqipërisë në Sallën e Pallatit të Kongreseve, pastaj vizitat nëpër qytete të ndryshme, e shumë e shumë aktivitete tjera. Me një fjalë – momente të paharrueshme’’, deklaroi Bejta.
Bejta pati fatin që të takohej sot me disa nga bashkëlojtarët e tij, me të cilët pati mundësinë të rikujtojë udhëtimin, zbarkimin në fushë e cdo gjë tjetër pas saj.
‘’Normal qe e rikujtojmë dhe sot, pikërisht e bisedonim se si kishim udhëtuar, se si zbarkuam në fushë, si ishte pritja e vendasve ndaj nesh, akomodimi në Hotel , e të tjera, thua se ishte dje ajo ndeshje, e jo para 30 viteve. Me një fjalë, kthim në kohët e vjetra, nostalgji’’.
Ai shprehet i lumtur që ishte i vetmi futbollist nga Llapi që përfaqësoi Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen e parë.
‘’Jam krenar, me fat dhe i privilegjuar që e kam përfaqësuar Kombëtaren e futbollit Kosovës si i vetmi lojtar nga treva e Podujevës (Llapit) në atë periudhë të pavarësimit të futbollit kosovar’’, përfundoi tanimë trajneri Bejta. /IndeksOnline/