75 Mall Live Search
14:47 / E Premte, 28 Tetor 2022 / k.v

Tri ditë para skadimit të afatit për targat, gjithçka qetë në pjesën veriore (Foto)

Tri ditë para se të skadoi afati kur serbët e Kosovës duhet të konvertojnë targat e automjeteve në RKS, situata në veri është e qetë.

Ekipi i IndeksOnline ka qëndruar sot gjatë gjithë ditës në veri dhe në dy pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak ku ka parë nga afër se gjithçka po funksionon pa telashe.

Qytetarë të shumtë kanë hyrë dhe dalë në kufi duke prezantuar para autoriteteve dokumentacionin legjitim.

Deri më tani janë vetëm rreth 40 serbë që i janë bindur thirrjes së institucioneve të Republikës së Kosovës për ti kthyer targat në RKS.

Në shenjë revolte, disa automjete të cilat kishin vendosur targat e reja, ishin djegur nga persona të panjohur.

Policia e Kosovës dhe pjesëtarët të KFOR-it gjatë gjithë ditës së premte janë parë rrugëve të veriut teksa patrullonin si zakonisht.

Prezenca e tyre është parë edhe mbi urën e Ibrit në Mitrovicë.

Për çështjen e targave pritet të diskutohet edhe sot në mbledhjen e ekzekutivit në orën 16:00, pasi që kryeministri Kurti ka marrë kërkesë nga amerikanët për të shtyrë edhe për një kohë afatin e konvertimit të targave në RKS.

Kjo kërkesë është bërë për të shmangur mundësinëe ndonjë tensioni./IndeksOnline/