75 Mall Live Search
23:54 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Tri ditë zie për shqiptarët, ja bilanci i tërmetit më vdekjeprurës në botë për këtë vit

Të martën e 26 nëntorit 2019, rreth orës 03:52, një tërmet i fuqishëm ka goditur Shqipërinë dhe Kosovën. Tërmeti ishte me magnitutë 6.4 dhe epiqendra ishte në Detin Adriatik.

Dridhjet u ndjenë shumë në Kosovë, mirëpo në Shqipëri dridhjet ishin më të mëdha. Në Shqipëri shumë ndërtesa u shembën, e qindra persona mbetën nën rrënoja, sidomos në qytetin e Durrësit dhe në Thumanë.

Menjëherë pas tërmetit, Njësitet Policore dhe Zjarrëfikësit në Shqipëri u vënë në detyrë.

Por, nuk u ndal me kaq. Lëkundjet vazhduan edhe më vonë, kështu duke bërë që dëmet të jenë akoma më të mëdha, ku filluan edhe dyshimet për viktimat e para.

Edhe aeroporti “Nënë Tereza” u mbyll, pasi pati dëme të në terminal si pasojë e tërmetit 6.4 ballë që tronditi vendin.

Ndërkohë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton se për të gjitha shkollat e Qarkut Tiranë dhe Qarkut Durrës do të pezullohet mësimi ditën që ndodhi ngjarja (26 nëntor 2019).

Në lidhje me këtë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reagur lidhur me tërmetin që ka goditur Shqipërinë, ku si pasoj mbetën të vdekur disa persona.

Ai tha se të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. “Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë,të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU”, tha Rama.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta menjëherë shkoi në qyetin e Thumanës. Nga atje, Meta ka vizituar banorët të cilët janë tejet të shqetësuar nga tërmeti i mesnatës.

Ai tha se situata është mjaft dramatike, dhe shpreson të tejkalohet me sa më pak humbje.

Ndërkaq, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi lidhur me ngjarjen që ndodhi.

Ai njoftoi se Kosova do të jetë në mbështetje të Shqipërisë, dhe dha lajmin se njësitet përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti, raporton Indeksonline.

Edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Gjenerali Rrahman Rama dhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj që të mobilizojnë të gjitha njësitë për t’i dalur në ndihmë Shqipërisë. Haradinaj kërkon nga dy drejtuesit e forcave të sigurisë që të ndihmojnë Shqipërinë me të gjitha kapacitetet e nevojshme.

Albin Kurti, kandidati për kryeminstër të Kosovës, tha se mendjen, sytë e veshët të gjithë i kemi, në Shqipëri. 

“Lutemi e urojmë që të mos përsëritet tërmeti. Kosova e përjeton dridhjen e dhimbjen e Shqipërisë. Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë autoriteteve zyrtare për çdo gjë”, shkroi Kurti.

Kështu, Shqipëria u bë lajmi kryesor në mediat e huaja, për shkak të tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë, që goditi vendin.

CNN-i shkruan: “Të paktën 140 persona janë plagosur nga tërmeti 6.4 ballë në Shqipëri”.

Evroneës në titullin kryesor të lajmit shkruan: “Shqiptarët reagojnë ndaj tërmetit më të fuqishëm në dekadat e fundit”

Tabolidi britanik “Dailymail”, shkruan për tre persona të vdekur nga tërmeti i fuqishëm”.

Rreth orës 09:00, Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Rrustem Berisha, ka njoftuar nisjen e Gardës Kombëtare të Kosovës dhe Njësitin K-9 për në Shqipëri. Vendimi i i nënshkruar në mëngjes të asaj dite ka hyrë në fuqi menjëherë dhe më pas njësitë ushtarake kosovare kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

Ndërkaq, përveç ndihmës së Kosovës, Edi Rama, njoftoi se të gjitha vendet mike të Shqipërisë shprehën  gatishmërinë për ndihma pas tërmetit që goditi mëngjesin e sotëm shtetin shqiptar.

Lideri i PDK-së Kadri Veseli është shprehur i pikëlluar për jetët e humbura nga pasojat e tërmetit që goditi Shqipërinë, ku tha se Kosova, do të japë çdo mbështetje të nevojshme për Shqipërinë, për ta kaluar bashkë këtë dhimbje.

Reagim pati edhe nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai tha se tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë mbrëmë dhe mëngjesin e së martës kanë shqetësuar të gjithë shqiptarët.

“Në këto momente të rënda, lutjet tona janë për vëllezërit dhe motrat tona që pësuan nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë”, shkroi Limaj.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se nuk ka asnjë interpretim politik ditën e sotme, ndërsa ka kërkuar që të gjithë të ngrihen në këmbë për të t’u qëndruar pranë familjarëve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe për të ndihmuar sadopak në shpëtimin e atyre që janë nën rrënoja.

Basha kërkoi nga Qeveria që të shpallë gjendjen e emergjencës.

​Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka konfirmuar se FSK ka dërguar pjesëtarët në Shqipëri për t’u dalë në ndihmë lidhur me tërmetin që ka tronditur vendin mëngjesin e sotëm.

Gjenerallejtënant Rama ka thënë se nëse është nevoja FSK është e gatshme të përkrah Shqipërinë edhe me trupa e pajisje shtesë.

Kështu, Komunat e Kosovës filluan të mobilizoheshin me ushqim, veshmbathje dhe të holla për të qytetarët e prekur pas tërmetit në Shqipëri.

Me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës ka alokuar 500 mijë euro për tragjedinë në Shqipëri, e cila erdhi si pasojë e goditjeve nga tërmetet e njëpasnjëshme.

Në mbledhjen e jashtëzakonshmë të Qeverisë së Kosovës, ministri  në detyrë i Financave, Bedri Hamza, propozoi vendimin.

Vendimi u miratua nga Qeveria e Kosovës me të gjitha votat për.

Në stadiumin e Durrësit, filluan edhe të ngritnin çadra për të strehuar banorët.

Ndërkaq, në orën 14:05 të së martes, të tjera lëkundje tërmeti me magnitude 5 të shkallës Rihter, u ndjenë në Durrës dhe në Tiranë.

Në nderim të personave të humbur nga kjo fatkeqësi, Ilir Meta dhe se Flamuri Kombëtar në institucionin e presidentit do të ulet në gjysmështizë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka telefonuar Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për ti shprehur dhembjen dhe solidarizimin për dëmet e tërmetin e ndodhur në Durrës dhe Thumanë.

“Fizikisht jemi në Kosovë por me mendje dhe përjetime, së bashku me juve në Shqipëri”, shkroi Mustafa.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Ekipi i Indeksonline ka vizituar vendin në Thumanë dhe ka parë nga afër familjet e strehuara në tenda. Përveç familjeve që kanë humbur shtëpitë e tyre, ka edhe familje që ndihen të rrezikuara të qëndrojnë nëpër shtëpi prandaj kanë vendosur të qëndrojnë në tenda.

Edhe NATO, në selinë qendrore të saj ka ulur në gjysmë-shtizë flamuri i Shqipërisë kjo pas tërmeteve që goditi sot shtetin shqiptarë ku si pasojë e kësaj fatkeqësie, gjetën vdekjen disa persona.

Operacioni nga emergjencat civile, policia, zjarrfikësit dhe grupet e shpëtimit kanë vijuar operacionin në Durrës dhe në Thumanë, madje edhe gjatë natës operacioni vijoi pa u ndalur.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka vlerësuar lartë rolin e ushtarëve të Kosovës, pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë. Berisha thotë se është prekur shumë kur ka parë në rrjete sociale dhe media, shqiptarët e Kosovës duke mbledhur ndihma në qendër të Prishtinës.

Pas ndihmave që dërguan kosovarët në Shqipëri, ata nuk u kthyen vetëm. Së bashku morën shumë banorë nga Shqipëria për t’i strehuar në Kosovë.

Një ditë pas tërmetit, të mërkurën (27 nëntor 2019) Kryeministri Edi Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, pasi humbën jetën shumë persona dhe mbetën qindra të lënduar.

Po atë ditë, shoqëria koncesionare e autostradës Milot- Morinë (Rruga e Kombit) ka njoftuar se ka marrë vendim për heqjen e taksës për të gjithë ata që duan të ndihmojnë të prekurit nga tërmeti në çfarëdo forme.

Sot, e enjte, mbushen 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Por, kjo ditë nuk po festohet në Kosovë e Shqipëri, si në vitet e kaluara. Pasi që tërë shqiptarët janë në dhimbje e lot, pas tërmetit të rënë ditën e martë, ku pat shumë të vdekur e qindra të plagosur.

Edi Rama uroi shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, ku tha se “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”.

Edhe Isa Mustafa, me rastin e 28 Nëntorit, tha se përvjetori i 107-të i shpalljes së Shqipërisë e gjen popullin shqiptar plot dhimbje.

Gjendja në Shqipëri është e rëndë, ndërsa operacioni për nxjerrjen e personave nën rrënoja po vazhdon edhe tani, e shtyllat elektrike po mbulohen nga njoftimet për ndarjen nga jeta të shumë personave.

Deri në këto momente, të vdekur janë 48 persona, e mbi 700 të lënduar./Indeksonline/