13:25 / E Diele, 09 Gusht 2020

Tri javë nga fillimi i shkollave, Nagavci: Nesër do të iniciojmë diskutim në Kuvend

Kanë mbetur edhe tri javë kur duhet të fillojë viti i ri shkollor, por ende nuk ka ndonjë vendim nga Ministria e Arsimit se si saktësisht do të zhvillohet mësimi në rrethanat e krijuara nga epidemia.

Për këtë çështje, nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci, po thotë se nesër në Kuvend do të iniciojnë diskutim duke thënë se prindërit dhe personeli i arsimit duhet të dinë se ç’do të ndodhë.

Ajo tha se Ministria e Arsimit duhet të merr vendime për secilin nivel të shkollimit.

“Tashmë Ministria e Arsimit do duhej të bënte publike planet e saj për fillimin e vitit shkollor, pra më shumë se një plan duke marrë parasysh situatën me pandeminë. Akoma ka një paqartësi të plotë: A do të kthehen nxënësit në shkolla, do të vazhdojë mësimi online apo do të jetë mësim i kombinuar? Duhet fillimisht një vendim i shpejtë dhe i menduar shumë mirë për formën e mësimit, për të gjitha nivelet e shkollimit formal që nga parashkollorët dhe çerdhet e deri në arsimin e lartë”.

Nagavci ka paraqitur edhe disa mundësi, që sipas saj, secila nga to kërkon trajtim të veçantë e të vëmendshëm multidimensional, kërkon vendime të marra bashkërisht nga niveli qendror e ai lokal, nga profesionistët shëndetësorë, të arsimit, sociologë, psikologë dhe të tjerë.

1. Mësimi në shkolla

Sa do të jetë e mundshme dhe e sigurtë që të mbahet mësimi në objekte shkollore? Kur dimë se është e pakontestueshme rëndësia e pjesëmarrjes fizike në shkolla, socializimi, bashkëpunimi, vëmendja e shtuar dhe kërkesat e menjëhershme, atëherë duhet punuar shumë në këtë drejtim.

Fillimisht nevojitet një bashkëpunim me ekspertët shëndetësorë për të qenë të sigurtë për shëndetin e fëmijëve dhe të mësimdhënësve. Një planifikim për numrin maksimal të nxënësve në klasa duke përgjysmuar paralelet dhe mos tejkaluar një numër prej 10-15 nxënësish, varësisht nga madhësia e klasës. Duhet planifikuar që orari i qëndrimit në klasa të jetë i përgjysmuar në ditë dhe i shkurtuar në kohëzgjatje gjatë ditës, mësimdhënia duhet të jetë e integruar, ashtu si e parashef dhe Kurrikula.
Kujdesi dhe higjiena duhet të jenë në nivelin më të lartë.

Duhet vendosur për shfrytëzimin e hapësirave shkollore, mirëmbajtjen e tyre, buxhetimin për mjetet e dezinfektimit dhe higjienës, ofrimin e materialeve për punë dhe shumë aspekte tjera përpos atyre të mësimdhënies.

2. Mësimi online

Nëse vazhdon mësimi online është e novojshme marrja e vendimit për llojin e këtij mësimi.

Edhe këtu ka shumë aspekte që duhen marrë parasysh. Si do të realizohet mësimi online në secilin nga nivelet, a do të jetë njëjtë si në fazën e parë, që ishte një situatë e re dhe e panjohur, apo do të ketë avansime? Duhet parë se cilat janë mundësitë që të shmangen formalitetet e shumta teknike dhe të raportimit të cilat e stërngarkojnë mësimdhënësin dhe e pakësojnë kohën që ai do të mund t’i kushtonte planifikimit dhe punës me nxënës.

Duhet parë urgjentisht se në çfarë mënyre do të mbështeten mësimdhënësit që të jenë kompetent në këtë lloj të ri të mësimdhënies, si do të sigurohet mësimdhënia dhe mësimnxënia e personalizuar, si do të bëhet vlerësimi i nxënësve, si të sigurohet zhvillimi i mendimit kritik dhe të motivohen nxënësit, si të arrijmë tek secili nxënës dhe të sigurohemi për punën e tyre të pavarur. Duhet siguruar se asnjë nxënës pa marrë parasysh se ku jeton, të mos ketë asnjë vështirësi të natyrës materiale e teknike si psh mungesa e pajisjeve apo rrjetit të internetit, për të marrë pjesë aktive në mësimin online.

3. Mësimi i kombinuar

Duhet shqyrtohen mundësitë që nxënësit të kalojnë një pjesë të kohës në objektet shkollore dhe detyrat e kërkesat të kombinohen me përdorimin e teknologjisë. Në një rast të tillë, duhet të sigurohemi për një kontinuitet dhe bashkëpunim të plotë të gjithë akterëve të përfshirë. Është mirë të shqyrtohen mundësitë e zhvillimit të mësimit edhe me aktivitete tjera jashtë shkollës, si psh organizimi mësimit në ambiente të hapura, mësimdhënia me projekte që mundëson dhe mësimdhënien/mësimnxënien e intergruar, bashkëpunimi me profesionist të fushave të ndryshme dhe të ngjajshme.

Një përparësi shumë e madhe do të ishte mundësia e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe madje edhe me vendet tjera ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Unisimi i disa formave të mësimit, përdorimi i mjeteve dhe teknikave të përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe të ngjajshme do të reduktonin shpenzimet, do të ofronin përveç tjerash mundësinë e shfrytëzimit më të plotë të resurseve, racionalizimit të kohës dhe maksimalizimin e rezultateve.

Këto dhe shumë çështje tjera kërkojnë trajtim urgjent, vëmendje të shtuar dhe veprime e vendime të mirëmenduara. Unë paraqita vetëm disa ide fillestare të atyre që duhet shqyrtuar me vëmendje dhe urgjencë. Jam e bindur se shumë kolegë të mi, profesionist të arsimit kanë po ashtu ide të vlefshme e janë të gatshëm të kontribojnë.

Pandemia përveç në aspektin e shëndetit publik dhe atij ekonomik do të ketë pasoja të mëdha edhe në sistemin e edukimit e të arsimit. Koha do të dëshmojë se pasojat në edukim fatkeqësisht do të jenë të shumta dhe një numër i madhë i fëmijëve do të kenë vështirësi të theksuara në zhvillimin e tyre e kjo rrjedhimisht do të ketë pasoja dhe në zhvillimin e shoqërisë sonë.

Tashmë është e qartë se do nevojitet akoma kohë që të kthehemi në normalitet, madje duket se asnjëherë më s’do të jetë gjithçka e njëjtë. Andaj dhe nevojitet me urgjencë të planifikohet ajo që po quhet bashkëjetesa me virusin, me fokus të veçantë tek shkollimi dhe tek fëmijët tanë. Ka mundësi të shumta , por duhet dije, vullnet, angazhim maksimal dhe bashkëpunim i plotë dhe përfshirje e të gjithë atyre që kanë ekspertizën dhe përgatitjet profesionale.

Me kolegët deputetë nga Grupi Parlamentar dhe ekspertët e Komitetit për Arsim në Lëvizje, kemi diskutuar për këtë temë dhe do të iniciojmë që nesër edhe diskutimin në Kuvend.

Prindërit kanë të drejtë të dinë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, mësimdhënësit dhe personeli tjetër arsimor duhet të përgatitet me kohë, edhe pse fatkeqësisht përsëri është shumë vonë.

Mos i humb