Tri licenca të reja në energji, ZRRE: Kërkesat po rriten pas liberalizimit të tregut
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e saj të dhjetë për këtë vit, në të cilën janë miratuar një numër i madh licencash dhe autorizimesh të reja në sektorin e energjisë, raporton Ekonomia Online.
Prej gjithsej 80 licencave e autorizimeve të miratuara, tri ishin për furnizim dhe tregtim me energji elektrike, ndërsa 76 për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum.
Drejtori i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, theksoi se institucioni po përballet me një numër të madh kërkesash për shkak të liberalizimit të tregut.
“Vlen të theksohet se kemi kërkesa të mëdha për licencim për shkak të liberalizimit të tregut. Këto kërkesa nxisin investime më të mëdha në kapacitetet e energjisë,” deklaroi ai.
Anëtarët e bordit shqyrtuan dhe miratuan me katër vota për dhe asnjë kundër aplikacionin për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike të kompanisë Swiss Solar.
Gjithashtu, me katër vota për dhe asnjë kundër u miratua edhe aplikacioni për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike të kompanisë Solar Neo.
Në vijim, bordi shqyrtoi pikën tjetër të rendit të ditës që përfshinte miratimin e licencës për aktivitetin e tregtimit me energji elektrike nga kompania Alfa Company për një periudhë pesëvjeçare. Edhe kjo pikë u miratua me katër vota për.
Pika e gjashtë e rendit të ditës kishte të bënte me vendimin për rihapjen e procedurës së tenderimit për zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), e cila po ashtu u miratua me katër vota për.
Në vazhdim të mbledhjes, me katër vota për u miratua edhe aplikacioni për lëshimin e autorizimit për subjektin juridik “Eris Solar sh.p.k.”
Me katër vota për, bordi miratoi gjithashtu 76 pika të tjera të rendit të ditës, të cilat kishin të njëjtin qëllim – marrjen e autorizimit për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum nga aplikues të ndryshëm.
Fejzullahu sqaroi se, për shkak të numrit të madh të kërkesave me qëllim të njëjtë, ato janë miratuar në bllok, ndërsa çdo aplikues do të njoftohet individualisht për vendimin përkatës.
“Do t’u dërgohet vendim i veçantë secilës kërkesë përmes arkivës së ZRRE-së”, shtoi Fejzullahu.

