Tri ministri të qeverisë “Kurti 3” drejtohen nga komunitetet, ndryshime edhe në përbërjen e kuvendit
Pjesë e qeverisë “Kurti 3”, nga gjithsej 19 ministri, janë edhe tri ministri që drejtohen nga përfaqësues të komuniteteve, transmeton IndeksOnline.
Tre ministrat e rinj, të cilët më parë ishin zgjedhur deputetë, kanë liruar vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke hapur rrugë për zëvendësime nga listat përkatëse zgjedhore.
Në vend të Rasim Demirit, i cili është emëruar ministër për Zhvillim Rajonal, deputet do të bëhet Brahim Shabani nga koalicioni Vakat.
Ndërkaq, në vend të Nenad Rashiqit, i emëruar ministër për Komunitete dhe Kthim, në kuvend do të hyjë Lazar Raduloviq nga subjekti “Za Slobodu, Pravdu i Opstanak”.
Po ashtu, në vend të Elbert Krasniqit, i cili është riemëruar në krye të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, deputet do të bëhet Fridon Lala nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.
Këto ndryshime janë rezultat i kalimit të deputetëve në detyra ekzekutive në kuadër të kabinetit të ri qeveritar./IndeksOnline/

