Tri raste të ndara të drogës në rajonin e Prishtinës, një i arrestuar
Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të posedimit të paautorizuar të substancave narkotike në rajonin e Prishtinës gjatë 24- orëve të fundit, transmeton IndeksOnline.
Rasti i parë është shënuar në rrugën “Hakif Zejnullahu” në Podujevë, rreth orës 02:00. Gjatë kontrollit tek një i dyshuar mashkull kosovar janë gjetur dhe sekuestruar 0.87 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë ka ndodhur në rrugën “Besa Besë” në Fushë-Kosovë, rreth orës 00:15. Policia ka gjetur dhe sekuestruar 3.92 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë te një i dyshuar mashkull kosovar. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i tretë është regjistruar në rrugën “Andrea Gropa” në Prishtinë, rreth orës 19:40. Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij janë gjetur dhe konfiskuar 4 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, një peshore digjitale, tre fishekë për një revole, 1300 euro dhe dy telefona mobilë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Të tria rastet janë duke u hetuar nga organet kompetente./IndeksOnline/

