12:04 / E Martë, 04 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Tri skuadrat e mëdha evropiane, që sivjet po luftojnë për mbijetesë

Nga një sezon ëndërrash, në sezon dëshpërues – kjo është fraza që i përshtatet më së miri disa klubeve të mëdha evropiane.

Ani pse në vitet e fundit dominuan e shkëlqyen në kampionatet përkatëse, disa skuadra këtë sezon janë në ngecje të vazhdueshme.

Ndoshta, epitetin e skuadrës së dështuar e meriton Monaco, e cila këtë sezon, shkurt e shqip, nuk është ”kërkah”.

Skuadra nga Principata e Monakos është në rrezik për të rënë nga Ligue 1, pasi që pas 15 ndeshjeve të zhvilluara, ka grumbulluar vetëm 10 pikë dhe renditet në vendin e 19-të, transmeton IndeksOnline.

Ky zhgënjim, madje, rezultoi edhe me shkarkimin e trajnerit të njohur, Leonardo Jardim, por që as ky shkarkim s’kreu punë.

Në vend të tij, klubi i pasur emëroi legjendën e Arsenalit, Thierry Henry, i cili nuk po bindë asesi në aventurën e tij të parë menaxheriale.

Tutje, në Turqi, një skuadër që në vitet e fundit është konsideruar gjithnjë pretendent serioz në Superligën e Turqisë, sot gjendet në vendet e fundit të renditjes tabelare.

Feneri, konkretisht, pas 14 javësh, renditet në vendin e 15-të me vetëm 14 pikë të grumbulluara, dhe me një diferencë prej 16 pikësh nga lideri, Istanbul Basaksehir.

Për fund, një skuadër e cila është larg shkëlqimit të dikurshëm është skuadra baske, Athletic Bilbao.

Baskët nuk janë në formë aspak të mirë këtë sezon, teksa tani po lufton me skuadrat e fundit në tabelë për të mbetur në La Liga.

Pas 14 javësh, Bilbao renditet në vendin e 18-të me vetëm 11 pikë të grumbulluara.

Çudi është se në vitet e fundit, Bilbao ka qenë e shquar për lojën e bukur, për talentët në skuadër si dhe për pjesmarrjen në Europa League. Por, sot, janë në një pozitë tejet të vështirë./IndeksOnline/