Tri vota të PDK-së i mundësojnë Prebrezës së Vetëvendosjes të zgjedhë kryetarin e asamblesë
Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës sot ishte nikoqir i seancës së jashtëzakonshme që përcaktoi fillimin e mandatit të ri të qeverisjes lokale.
Që në takimin e parë të asamblistëve diçka nuk shkoi si duhet, shkruan IndeksOnline.
Kryetari i degës së PDK-së në këtë komunë dhe dy asamblistë të kësaj partie kanë votuar në favor të kandidatëve të LVV-së, gjë që sipas PDK-së, përbën thyerje të besimit dhe devijim të linjës politike të PDK-së.
IndeksOnline raporton se Rrahim Terrnava, Ermal Dumani dhe Aida Alimi kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit Komunal nga radhët e LVV-së, bashkë me anëtarët e kryesisë.
Në strukturat e PDK-së, ky veprim është cilësuar si i papranueshëm dhe në kundërshtim më parimet e partisë.
Përfaqësuesit e partisë pretendojnë se kjo nuk është hera e parë që këta tre anëtarë të degës së PDK-së në Fushë-Kosovë kanë vepruar njëjtë si sot.
Në PDK madje ka lindur dyshimi se po të njëjtit emra kanë ndikuar edhe në raundin e balotazhit, duke cenuar koalicionin PDK-LDK, në Fushë-Kosovë.
Ndërmarrja e masave ndaj këtyre anëtarëve të partisë është kërkuar menjëherë./IndeksOnline/

