Tronditet futbolli argjentinas: Vdes 18-vjeçari gjatë një operacioni në gju

Futbolli argjentinas është goditur nga një ngjarje tragjike. Mesfushori i ri, Camilo Ernesto Nuin, ka ndërruar jetë papritur gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju. Lajmi është konfirmuar nga klubi i tij, San Telmo, ku 18-vjeçari ishte aktiv që nga viti 2022.
Nuin, i cili më parë ishte pjesë e akademive të njohura të Boca Juniors dhe Independiente, konsiderohej një nga talentet premtues të brezit të ri. Megjithatë, jeta e tij u ndërpre në mënyrë të papritur, ndërkohë që ishte nën kujdesin mjekësor për një problem fizik që po e mbante jashtë fushave.
Në një deklaratë zyrtare, klubi San Telmo shprehu dhimbjen për humbjen e lojtarit:
“Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Camilo Ernesto Nuin, lojtar i divizionit të të rinjve dhe rezervave të klubit tonë. Klubi do të qëndrojë i mbyllur sot në shenjë zie. Jemi pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të tij në këtë kohë të vështirë.”
Ngushëllime kanë ardhur edhe nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA). Presidenti Claudio Tapia u shpreh në rrjetet sociale:
“Një lajm shumë i trishtë që trondit gjithë botën e futbollit.”
Në një reagim zyrtar, AFA deklaroi se i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së lojtarit dhe të gjithë komunitetit të klubit San Telmo.
Shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik, ndërsa ngjarja ka ngjallur reagime të mëdha në opinionin sportiv dhe jashtë tij.