Trukimet në Spanjë: Gjithçka filloi te Real Madrid, zbulohet skema si manipuloheshin ndeshjet
Lajmi se policia spanjolle ka zbuluar një organizatë të mirëfilltë kriminale me qëllim trupimin e ndeshjeve në favor të basteve sportive, e përbërë nga lojtarë, ish-lojtarë e drejtues klubesh, ka bërë xhiron e botës në ditën e martë.
Ndërsa vazhdojnë të zbulohen detajet e kësaj ngjarje, dalin në skenë të dhëna interesante duke filluar nga mënyra se si u krijua kjo organizatë dhe mënyra se si vepronte ajo prej vitesh në futbollin spanjoll, me skemën që përdornin për të ndikuar rezultatet e takimeve.
Tre nga të arrestuarit janë Raul Bravo, ish-futbollisti i njhohur i Real Madrid dhe Spanjës i cili akuzohet si drejtues i këtij grupi, Borja Fernandez dhe Karlos Aranda.
Të tre këta emra i lidhe vetëm një klub, Real Madrid. Të gjithë ishin pjesë e akademisë madrilene dhe u njohën e u miqësuan në vitet kur luanin te skuadra e dytë e Realit, Kastija, në edicionin 2001-2002. Ata ishin së bashku pjesë e këtij ekipi, për të vazhduar më pas secili në skuadra të tjera karrierën, por duke ruajtur lidhjet të cilat më vonë kanë çuar në krijimin e këtij grupi kriminal.
Policia spanjolle ka treguar se si funksiononte skema që kishin ndërtuar ata në bashkëpunim me persona të tjerë për të siguruar fitime kolosalë gjatë kampionatit në kategori të ndryshme spanjolle. Si fillim, identifikoheshin ndeshjet ku kishin lidhje apo ku mund të kontaktonin persona të njohur, mundësisht në fillimin apo fundin e kampionatit ku vëmendja është më e vogël dhe rezultatet e çuditshme janë më të pranueshme.
Më pas caktoheshin bastet që duheshin vënë duke u munduar që të kombinonin ngjarje të ndryshme brenda ndeshjesh si rezultat të pjesshëm me atë përfundimtar, goditje këndi, kartonë, etj. Kështu rritej edhe koeficienti në mënyrë të ndjeshme dhe fitoheshin shuma të mëdha.
Më pas, bëhej procesi i “rekrutimit”, duke kontaktuar ndonjë prej lojtarëve të ekipeve të përfshira në ndeshjet e piketuara, mundësisht kapitenin ose portierin të cilët mund të ndihmonin direkt në sfidë ose në pjesën tjetër të skuadrës.
Në momentin që pranohej trukimi nga lojtarët, bëhej pagesa me para në dorë në dy faza. Një pjesë e shumës u kalohej lojtarëve para ndeshjes, ndërsa e dyta u jepet j atyre pasi realizohej trukimi dhe fitimi. Ishin vetë shefat e kësaj organizate që merrnin përsiper të bënin çdo lloj pagese si për lojtarët, ashtu edhe ata në kompanitë e basteve, duke qenë financuesit e këtij aktiviteti.
Sipas policisë kishte raste kur trukimet nuk ishin realizuar për arsye të ndryshme dhe kjo kishte futur në borxh lojtarët të cilët ishin detyruar të trukonin ndeshje të tjera për të shlyer gabimin e për të rikuperuar paratë e humbura.
Kjo skemë kishte sjell qindra mijëra euro fitime për lojtarë të klubeve mesatare apo të kategorive të ulëta të cilët sigurisht nuk paguhen sa yjet e La Liga dhe ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e këtij trukimi masiv në futbollin spanjoll.