75 Mall Live Search
13:04 / E Mërkurë, 01 Tetor 2025 / MSH

Trump arrin marrëveshje me “Pfizer”-in, ulen çmimet e ilaçeve me recetë

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se “Pfizer” do të ulë çmimin e të gjitha barnave me recetë në programin Medicaid për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe, në këmbim të përjashtimit nga tarifat doganore të importit, do të shesë barna të reja me çmimet më të favorshme, si ato në vendet me të njëjtin nivel zhvillimi.

Trump gjithashtu tha se pret që edhe prodhuesit e tjerë të barnave ta ndjekin këtë shembull. Pacientët amerikanë aktualisht paguajnë më së shumti për barna me recetë, shpesh tri herë më shumë se në vendet e tjera të zhvilluara dhe lideri amerikan po ushtron presion mbi prodhuesit e barnave që të ulin çmimet në nivelin që paguajnë pacientët në vendet e krahasueshme.

Produktet e “Pfizer”-it do të jenë të disponueshme në një shërbim të ri online të Shtëpisë së Bardhë për blerjen e drejtpërdrejtë të barnave për amerikanët, të quajtur “TrumpRx”, në një faqe që do të nisë në vitin 2026.

“Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë fund subvencionimit të kujdesit shëndetësor për pjesën tjetër të botës”, deklaroi 79-vjeçari gjatë një ngjarjeje në Zyrën Ovale, i shoqëruar nga drejtori i “Pfizer”-it, Albert Bourla, ministri i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., dhe të tjerë.

Trump më 25 shtator njoftoi se nga 1 tetori do të vendosë një tarifë doganore 100 për qind për importin e produkteve farmaceutike të markave apo të patentuara, me përjashtim të atyre prodhuesve që ndërtojnë kapacitete prodhimi brenda SHBA-së.

“Pfizer” është prodhuesi i parë i barnave që ka arritur një marrëveshje. Trump në muajin korrik u kishte dërguar një letër 17 kompanive farmaceutike kryesore, duke u kërkuar të ulin çmimet në përputhje me ato që paguhen jashtë vendit.

Kjo është një politikë që presidenti e quajti “caktimi i çmimit të kombit më të favorizuar” (MFN – Most Favored Nation). Ai u kërkoi kompanive që të përgjigjen se me çfarë masash do të angazhohen për këtë vendim deri më 29 shtator.

“Pfizer”, një kompani amerikane me prodhim në SHBA dhe në vende të tjera, do të investojë 70 miliardë dollarë në kërkime-shkencë dhe në prodhim të brendshëm.