Trump: Britania e Madhe do të luftonte për SHBA-në, por vendet tjera…

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se besonte se Britania e Madhe do të luftonte për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sugjeroi se nuk mund të thoshte të njëjtën gjë për Bashkimin Evropian, një faktor në vendimin e tij për të mos nënshkruar një marrëveshje tregtare me bllokun.
Trump tha se ai gjithashtu kishte ende dyshime për mbështetjen e anëtarëve të NATO-s, edhe pasi ata ranë dakord të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes.
“Një nga problemet me NATO-n, siç thashë, është se ne duhet të luftojmë për ta, por a do të luftojnë ata vërtet për ne nëse do të kishim një luftë?”, tha Trump.
“Dhe nuk jam i sigurt nëse mund ta them, por do ta them këtë, besoj se Britania e Madhe do të luftonte me ne”, tha ai.
“Mendoj se ata do të ishin me ne. Nuk jam i sigurt nëse shumë nga vendet e tjera do të ishin”, shtoi Trump.
Trump tha se ky ishte një faktor në gatishmërinë e tij për t’i bërë Britanisë së Madhe disa përjashtime nga programi i tij tarifor. Në të kundërt, ai ka kërcënuar me një tarifë prej 30% për mallrat evropiane.
E vetmja herë që NATO ka aktivizuar Nenin 5 – gurthemeli i traktatit të saj themelues – i cili përcakton se nëse një nga vendet sulmohet, kjo përbën një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare të aleancës – ishte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Trupat britanike mbështetën SHBA-në në konfliktet që pasuan në Afganistan dhe Irak, por që atëherë, ushtria është zvogëluar në madhësi.