Trump dëshiron që Rezerva Federale t’i ulë normat e interesit
Presidenti Donald Trump e ka kaluar pjesën më të madhe të vitit duke i kërkuar Rezervës Federale të bëjë ulje agresive të normave të interesit me qëllim nxitjen e ekonomisë. Por mbyllja e qeverisë ironikisht kërcënon pikërisht vrullin që administrata kërkon të ruajë.
Kjo për shkak se mbyllja ka pezulluar publikimin e shumicës së statistikave zyrtare ekonomike mbi të cilat mbështetet Rezerva Federale për të vendosur normat dhe për të drejtuar ekonominë.
Bankierët qendrorë ranë dakord muajin e kaluar të fillojnë uljen e normave të interesit për herë të parë që nga dhjetori. Kjo për shkak se të dhënat deri në gusht treguan një treg pune në dobësim që duket se është gjithnjë e më shumë në rrezik të bjerë nga një shkëmb, shkruan CNN-i.
Rezerva Federale do të njoftojë një ulje të normës së interesit me një çerek pike të mërkurën në orën 14:00 sipas orës ET, përfundimi i një takimi dyditor mbi politikat. Por nëse mungesa e të dhënave qeveritare vazhdon për shumë më gjatë – duke errësuar se si po ecën ekonomia më e madhe në botë – bankierët qendrorë mund të kthehen në të njëjtën strategji që e frustroi Trump në fillim të këtij viti; duke qëndruar në vend derisa të ketë qartësi më të mirë.
“Fed mund të arrijë në përfundimin se ka kaq shumë pasiguri për shkak të mungesës së të dhënave qeveritare, saqë ulja e normave të interesit po e ngadalëson më shumë sesa do të ndodhte normalisht”, tha për CNN-in Kathy Bostjançiq, kryeekonomiste në Nationwide.

