75 Mall Live Search
11:23 / E Martë, 14 Janar 2025 / LB

Trump dhe Putin pritet të flasin me telefon “në ditët ose javët në vijim”

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet ta kenë një telefonatë në ditët ose javët në vijim, tha për ABC-në të dielën kongresmeni amerikan Mike Waltz, këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare, raporton “The Guardian”.

“Të gjithë e dinë se kjo duhet të përfundojë disi diplomatikisht”, tha Waltz, një besnik i Trumpit, i cili gjithashtu shërbeu në Gardën Kombëtare si kolonel.

“Unë thjesht nuk mendoj se është realiste të thuhet se do ta dëbojmë çdo rus nga çdo pëllëmbë e tokës ukrainase, madje edhe Krimenë. Presidenti Trump e ka pranuar këtë realitet dhe mendoj se ka qenë një hap i madh përpara që e gjithë bota po e pranon atë realitet. Tani le të ecim përpara”.

Administrata Biden ka ofruar dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, financim që Trumpi e ka kritikuar vazhdimisht dhe e ka karakterizuar si shterim të burimeve amerikane. Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do t’i japë fund luftës shpejt kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme dhe ka thënë se Putini nuk do të kishte pushtuar kurrë nëse do të ishte president në atë kohë.

Gjatë një konference për media të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi të jepte ndonjë koment të ri pasi Trump tha se do ta takojë Putinin “shumë shpejt”. Kremlini ka thënë tashmë se është i hapur për një takim të tillë pasi Trump ta betohet, më 20 janar.