75 Mall Live Search
23:22 / E Shtunë, 24 Janar 2026 / MSH1

Trump kërcënon Kanadanë me tarifa 100%, nëse “bën një marrëveshje me Kinën”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 100% për mallrat kanadeze nëse vendi arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.

“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të përballet menjëherë me një tarifë 100% kundër të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA”, tha Trump në Truth Social, shkruan BBC.

Nuk është e qartë se për çfarë marrëveshjeje po i referohet Trump në postimin e tij në rrjetet sociale. Javën e kaluar, kryeministri kanadez Carney njoftoi një “partneritet strategjik” me Kinën dhe ra dakord të ulë tarifat.

Në atë kohë, Trump e quajti këtë veprim “një gjë të mirë”. Por tensionet midis SHBA-së dhe Kanadasë janë rritur ditët e fundit, pasi Carney tha në një fjalim në Davos se rendi botëror i udhëhequr nga SHBA-të ishte shkatërruar.

Carney u bëri thirrje gjithashtu “fuqive të tjera të mesme” të bashkohen përballë shtrëngimit ekonomik nga “fuqitë më të mëdha”, megjithëse nuk e përmendi Trumpin me emër.

Trump iu përgjigj vërejtjeve në fjalimin e tij të nesërmen, duke thënë: “Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti amerikan tërhoqi gjithashtu një ftesë për Kanadanë për t’u bashkuar me Bordin e tij të ri të Paqes.