75 Mall Live Search
22:46 / E Shtunë, 28 Shkurt 2026 / MSH1

Trump: Khamenei, një nga njërëzit më të këqij në histori, ka vdekur

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka publikuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale, ku pretendon se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka vdekur si rezultat i një operacioni të koordinuar me Izraelin.

Në postimin e tij, Trump e cilëson Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe e përshkruan vdekjen e tij si “drejtësi” jo vetëm për popullin e Iran, por edhe për amerikanët dhe qytetarët e vendeve të tjera që, sipas tij, janë vrarë ose plagosur nga regjimi iranian.

Trump pretendon se operacioni është realizuar falë “sistemeve shumë të sofistikuara të inteligjencës dhe gjurmimit” të SHBA-ve, duke shtuar se lideri iranian nuk kishte mundësi t’i shmangej tyre.

Ai deklaron gjithashtu se disa drejtues të tjerë janë vrarë në të njëjtin operacion.

Sipas deklaratës së tij, bombardimet “e rënda dhe të sakta” do të vazhdojnë gjatë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin që ai e përkufizon si “paqe në Lindjen e Mesme dhe në botë”.

Ky është postimi i plotë i Trumpit:

Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për ata njerëz nga shumë vende të botës që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e horrave të etur për gjak. Ai nuk ishte në gjendje t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe gjurmimit shumë të sofistikuar dhe, duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai, apo liderët e tjerë që janë vrarë bashkë me të, mund të bënin.

Kjo është mundësia më e madhe e vetme për popullin iranian që të rimarrë vendin e tij. Po dëgjojmë se shumë nga IRGC-ja e tyre, ushtria dhe forcat e tjera të sigurisë e policisë, nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet nga ne. Siç thashë mbrëmë, “Tani mund të kenë imunitet, më vonë do të kenë vetëm vdekje!”

Shpresojmë që IRGC-ja dhe policia të bashkohen paqësisht me patriotët iranianë dhe të punojnë së bashku si një njësi për ta rikthyer vendin në madhështinë që meriton. Ai proces duhet të fillojë së shpejti, pasi jo vetëm që ka ndodhur vdekja e Khameneit, por vendi është, brenda vetëm një dite, shkatërruar rëndë dhe madje është bërë hi.

Megjithatë, bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë, pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin tonë të PAQES NË TË GJITHË LINDJEN E MESME DHE, NË TË VËRTETË, NË BOTË.