75 Mall Live Search
13:13 / E Enjte, 26 Mars 2026 / S Z

Trump konfirmon takimin e majit me Xi Jinping-un

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë më 14-15 maj, pasi e shtyu udhëtimin historik mes luftës SHBA-Izrael me Iranin.

Kjo do të ishte vizita e parë në Kinë nga një president amerikan në gati 10 vjet.

Trump gjithashtu do ta presë Xi në Uashington DC më vonë këtë vit dhe zyrtarët po “përfundojnë përgatitjet për këto vizita historike”, shkroi ai në Truth Social të mërkurën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi datat e vizitës së Trump, duke u thënë gazetarëve se presidenti Xi e kishte kuptuar dhe pranuar kërkesën për shtyrjen e udhëtimit, raporton BBC-i.

“Presidenti Xi e kuptoi se është shumë e rëndësishme që presidenti të jetë këtu gjatë gjithë këtyre operacioneve luftarake tani”, tha Leavitt në një konferencë shtypi të mërkurën.
Pekini nuk i ka konfirmuar datat e listuara nga Trumpi – megjithëse zakonisht nuk e zbulon agjendën e Xi shumë kohë më parë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, u tha gazetarëve të enjten se “të dyja palët po mbajnë komunikim në lidhje me vizitën e presidentit Trump në Kinë”.

Ai tha gjithashtu se “diplomacia në nivel udhëheqësi luan një rol udhëheqës strategjik të pazëvendësueshëm” në lidhjet dypalëshe.