75 Mall Live Search
10:40 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / S Z

Trump ngre padi ndaj BBC-së për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

Donald Trump ka paditur BBC-në, duke kërkuar deri në 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkak të montimit të një fjalimi që ai mbajti më 6 janar 2021 para mbështetësve të tij në Uashington, pak para sulmit ndaj Kapitolit.

Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale të Floridës, Trump pretendon se BBC-ja ka redaktuar “me qëllim, keqdashje dhe në mënyrë mashtruese” fjalimin e tij në një episod të emisionit Panorama, duke bashkuar pjesë të thëna gati një orë larg njëra-tjetrës, për të krijuar përshtypjen se ai nxiti dhunë, shkruan TheGuardian.

Sipas The Guardian, ai kërkon nga 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje dhe për shkelje të ligjit të Floridës për praktika mashtruese tregtare.

BBC-i ka pranuar më herët se redaktimi ishte një “gabim gjykimi” dhe i është kërkuar falje Trumpit, por ka theksuar se nuk ka bazë ligjore për pretendime për shpifje.

Pas kësaj çështjeje, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në mes të kritikave për probleme serioze në mbulimin editorial.

Trump argumenton se gjykata e Floridës ka juridiksion, pasi BBC-ja zhvillon aktivitet biznesi në SHBA përmes faqes së saj dhe platformës BritBox. Edhe pse episodi i Panorama nuk u transmetua në SHBA, ekipi ligjor i Trumpit thotë se redaktimi, i transmetuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përbënte përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.

Padia kundër BBC-së vjen pas disa fitoreve ligjore të Trumpit ndaj mediave amerikane. Ai ka arritur marrëveshje milionëshe me ABC-në dhe Paramount/CBS për padi të ngjashme lidhur me shpifje dhe redaktim intervistash.

Trump vazhdon të mohojë përgjegjësinë për ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe, pas rikthimit në detyrë këtë vit, ka falur qindra persona të përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit. Ndërkohë, organizata për lirinë e medias i kanë bërë thirrje BBC-së të qëndrojë e fortë dhe ta kundërshtojë padinë, duke e cilësuar kërkesën për 10 miliardë dollarë si të pajustifikuar dhe absurde.