75 Mall Live Search
09:39 / E Martë, 07 Korrik 2026 / P M

Trump niset drejt Ankarasë për samitin kyç të NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump, është nisur drejt Ankarasë, ku udhëheqësit e NATO-s po mblidhen për atë që mund të bëhet në një nga samitet më të rëndësishme të aleancës në vitet e fundit – jo sepse pritet të prodhojë ndonjë rezultat dramatik, por sepse mund të përcaktojë se si do të duket NATO-ja pas dekadash të dominimit të udhëheqjes ushtarake amerikane.

Samiti i 7-8 korrikut zhvillohet në një kohë kur Uashingtoni haptazi po i përgatit aleatët evropianë për një ndryshim gradual të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, po u bën presion vendeve anëtare të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe po sinjalizon se siguria e Evropës duhet të bëhet gjithnjë e më shumë përgjegjësi e vetë Evropës.

Trump qëndron në Ankara me ankesat e njohura lidhur me atë se shumë aleatë vazhdojnë të përfitojnë nga mbrojtja amerikane, pa kontribuar mjaftueshëm vetë.

Por, pas retorikës publike fshihet një debat shumë më i thellë për të ardhmen e NATO-s: si të ribalancohet aleanca pa dobësuar aftësinë e saj parandaluese ndaj Rusisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë konfirmuan para samitit se rishikimi i vazhdueshëm nga Pentagoni i pranisë ushtarake amerikane në Evropë mund të çojë në zvogëlimin e numrit të forcave amerikane, të stacionuara në të gjithë kontinentin.

“Nuk duhet të ketë habi që po bëjmë një rishikim të pranisë sonë ushtarake”, tha një zyrtar i lartë amerikan. “Ky rishikim mund të çojë fare mirë në përshtatjen e pranisë sonë sepse synojmë t’ia kalojmë Evropës një pjesë më të madhe të barrës”.

Një tjetër zyrtar i lartë i tha Radios Evropa e Lirë, më 6 korrik se ky rishikim pasqyron “kërkesat globale” ndaj forcave amerikane dhe nguli këmbë se çdo ndryshim në numrin e trupave do të udhëhiqet nga konsideratat strategjike dhe jo politike./REL/