75 Mall Live Search
12:06 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / indeksADMonline

Trumpi nominohet edhe një herë për çmimin “Nobel” për paqen

Presidenti amerikan Donald Trump është nominuar për çmimin “Nobel” për paqen. Nominimi vjen për përpjekjet e presidentit për arritjen e marrëveshjes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Christian Tybring-Gjedde, anëtar i Parlamentit Norvegjez dhe kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, është ai që e ka bërë nominimin për Trumpin.

Kjo nuk është hera e parë që Tybring-Gjedde nominon Trumpin për çminin “Nobel”, të njëjtën gjë ka bërë edhe më 2018 për mbajtjen e samitit në Singapor ku u prit lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

“Për meritat e tij, unë mendoj se ai ka bërë më shumë, duke u përpjekur për të krijuar paqe midis kombeve sesa shumica e të nominuarve të tjerë për Çmimin e Paqes,” i tha Tybring-Gjedde Fox News.

Përveç marrëveshjes Izrael-Emiratet e Bashkuara Arabe, letra e nominimit, drejtuar Komitetit të “Nobelit” përmend rolin kryesor të Trumpit në lehtësimin e vendosjes së kontaktit midis palëve në konflikt … të tilla si mosmarrëveshja kufitare e Kashmirit midis Indisë dhe Pakistanit dhe konflikti midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.” s.b