75 Mall Live Search
07:35 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Trump nuk mban mëri ndaj liderëve që e kritikuan

Komentet e ligësisë së përmendura nga një reporter pas takimit të tij me Aleksis Tsipras, Donald Trump i kaloi me shumë qetësi, duke lënë të kuptohet se nuk i mban mëri as kryeministrit grek dhe as liderëve të tjerë botërorë që u shqetësuan nga fitorja e tij.

“Shumë vende kanë qenë mjaft nervoze në fillim dhe unë mund të them se kam marrëdhënie mjaft të mira me krerët e praktikisht çdo vendi me të cilin m’u desh të përballesha. Arsyeja përse ata ishin të shqetësuar lidhet me faktin që unë nuk do të lejoj që ndaj vendit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfitojnë kaq shumë vende të tjerë anembanë botës”, tha Trump.

Gjatë një fjalimi marsin e vitit 2016, Tsipras shprehte mosbesim se Trump do të arrinte të ngrihej ndonjëherë në nivelin e njeriut që përfaqëson statusin e Partisë Republikane. Ajo që shënon nominimi i tij, thoshte atëherë shefi i ekzekutivit grek, idetë që përfaqëson, kërkesat që ka dhe kërcënimi që të shndërrohet në President; shpresoj që ne të mos përballemi me një ligësi të tillë. Këto ishin komentet atëherë, por në kopshtin e trëndafilave, Tsipras tregoi se tani është i gatshëm për bashkëpunim.

“Ne kemi vlera të përbashkëta. Mos harroni se demokracia dhe liria lindën në Greqi dhe këto janë dy prej vlerave që përshkojnë kulturën dhe traditën amerikane. Presidenti tani e vazhdon këtë traditë”, u shpreh Tsipras.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë dha sinjale pozitive për Athinën e tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Greqinë, ndërsa vendi rimëkëmbet nga kriza ekonomike. Ai e vlerësoi Greqinë për shpenzimet në fushën e mbrojtjes si anëtare e NATO-s e shtoi se Amerika mund t’i shesë Athinës avione luftarake F-16, me një vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, një veprim që, sipas Presidentit, do të krijonte mijëra vende pune në Shtetet e Bashkuara.