Trump nuk përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë

Presidenti i ShBA’së, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Deklarata e tij u bë gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Do t’jua bëjmë të ditur, ndoshta më vonë sot,” tha Trump, raporton CNN.
Qasja e tij e hapur ndaj pranisë së mundshme të trupave amerikane në Ukrainë mund të shënojë një ndryshim të madh, pasi Ukraina i konsideron garancitë e sigurisë si thelbësore për çdo marrëveshje paqeje me Rusinë.
Trump tha se Evropa do të ketë rolin kryesor në sigurimin e paqes, por SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë atje – Evropa. Por ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë,” tha ai.
Trump shtoi se, nëse arrihet një marrëveshje paqeje, ajo do të funksionojë.
“Besoj se nëse arrijmë deri te paqja, ajo do të qëndrojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë,” u shpreh ai.