75 Mall Live Search
13:52 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / MSH

Trump paditë BBC-në

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka një detyrim për të paditur median britanike BBC-i, për mënyrën se si një pjesë e fjalimit të tij të 6 janarit të vitit 2021, u redaktua për një dokumentar.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se fjalimi i tij u censurua dhe mënyra se si u prezantua mashtroi shikuesit.

“Mendoj se kam një detyrim t’i padisë. Mendoj se duhet ta bëj sepse ata mashtruan publikun dhe e kanë pranuar këtë. Ata në fakt e ndryshuan fjalimin tim të 6 janarit, i cili ishte një fjalim i bukur, një fjalim shumë i qetë dhe e bënë të dukej radikal”, ka thënë Donald Trump.

Kjo ishte hera e parë që Trump flet publikisht për këtë çështje që kur avokatët e tij i shkruan medias britanike dhe thanë se presidenti do të ngre padi për 1 miliard dollarë dëmshpërblim, nëse transmetuesi nuk e heq dokumentarin, kërkon falje dhe ofron kompensim. Për dëmin e shkaktuar.

BBC-ja redaktoi fjalimin e Trumpit për dokumentarin Panorama, që u transmetua disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, në nëntor të 2024-s.

Skandali filloi vetëm javën e kaluar, pasi The Telegraph zbuloi se një ish-këshilltar i jashtëm i pavarur i komitetit të standardeve editoriale të BBC-së ngriti shqetësime se një pjesë e fjalimit ishte redaktuar në një mënyrë që sugjeronte se presidenti inkurajoi në mënyrë të qartë trazirat në Kapitol, më 2021.

Kritikët thanë se mënyra se si u redaktua fjalimi ishte i rremë dhe ishte prerë një pjesë ku Trump tha se donte që mbështetësit të demonstronin në mënyrë paqësore.

Në lidhje me rastin, dorëheqje dhanë drejtori i përgjithshëm, Tim Davie, dhe CEO-ja e lajmeve, Deborah Turness.