75 Mall Live Search
23:10 / E Shtunë, 18 Tetor 2025 / MSH

Trump parashikon përshkallëzim të situatës, nëse i dërgon raketat Tomahawk në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mendon se është herët për të dërguar raketa Tomahawk në Ukrainë, gjë për të cilën shpreson presidenti ukrainas Zelensky.

“Shpresoj të mos kemi nevojë për to”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Shpresojmë që do të jemi në gjendje ta përfundojmë luftën pa diskutuar për Tomahawk-ët”.

Në konferncën për shtyp para takimit në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha në prani të gazetarëve se Ukraina mund ta furnizojë SHBA-në me dronë në këmbim të raketave Tomahawk.

Por Trump tha se dërgimi i “Tomahawkëve” mund të çojë në një përshkallëzim. Këto armë janë të shkëlqyera, por shumë të rrezikshme.

Qeveria ukrainase kishte njoftuar para takimit se Kievi shpreson që dërgimi i raketave Tomahawk dhe i armëve të tjera amerikane, do të jenë tema më të rëndësishme e takimit midis Trump dhe Zelenskyt. Por pas një telefonate me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, Trump deklaroi se SHBA ka vet nevojë për këto sisteme armësh.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se së shpejti ka të ngjarë të zhvillojë një takim kokë më kokë me Putinin në Hungari, por pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës. Megjithatë Trumpi theksoi njëkohësisht se do ta mbajë kontaktin me Zelenskyn.

Presidenti amerikan tha se marrëdhëniet midis Putinit dhe Zelenskyt janë të helmuara dhe se ka “shumë armiqësi” midis Moskës dhe Kievit. Sipas tij duhet që urrejtja të zhduket.

Trump shtoi se do t’i bëjë gjërat të këndshme për të gjithë. Të tri palët – Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara – do të përfshihen në një mënyrë ose në një tjetër në bisedime, por kjo mund të bëhet veçmas, tha ai.

Trumpi dhe Putini u takuan në gusht në Alaskë pa Zelenskyn dhe pa ndonjë rezultat të prekshëm./DW