10:06 / E Hënë, 19 Gusht 2019 / indeksADMonline

Trump: Përdorimi i dhunës në Hong-Kong, pengon bisedimet tregtare

Në Hong- Kong dhjetëra mijëra protestues përfunduan javën e 11-të radhazi të demonstratave pro demokracisë, me gjithë paralajmërimet e Pekinit se mund të ndërhyrjë për t’i ndalur ato. Ditët e fundit të protestave, nuk janë shënuar përplasje me policinë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Kinën se një sulm i stilit Tiananmen (Sheshi i Pekinit, ku më 1989 u shtypën protestuesit) ndaj protestuesve të Hong- Kongut do të pengonte bisedimet tregtare midis dy vendeve.

“Mendoj se do t’ishte shumë e vështirë të merremi vesh, nëse ushtrojnë dhunë”, tha ai para se të nisej për në Morristown, New Jersey.

Trump përsëri i kërkoi presidentit kinez, Xi Jinping, të “ulet për bisedime” me drejtuesit e protestës.

Administrata e Presidentit Donald Trump, ka vendosur tarifa ndaj importeve kineze në vlerë prej qindra miliarda dollarësh, si pjesë e një përpjekjeje për të riformuar marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Protestat në Hong Kong u nxitën nga një projekt-ligj që do të lejonte të dyshuarit të përballen me gjyq në territorin e Kinës, përderisa kritikët thonë se të drejtat e tyre do të komprometohen.

Projektligji u pezullua nga autoritetet e Hong- Kongut, por kërkesat e protestuesve janë rritur, duke përfshirë dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lamit, në zgjedhje të drejtpërdrejta, shpërndarjen e legjislaturës aktuale dhe një hetim mbi brutalitetin e dyshuar të policisë.

Hong- Kongu është pjesë e Kinës, por gëzon më shumë autonomi sesa rajonet e tjera kineze.