Trump përgjumet gjatë raportimit të ministrave në mbledhjen e kabinetit
Në mbledhjen e së martës me anëtarët e kabinetit të tij, ku solli sërish në kujtesë nofkën “Sleepy Joe”, në shqip “i përgjumuri Xho”, për ironi të fatit, Donald Trump u duk shumë i përgjumur.
Rastet nuk ishin të pakta kur kamerat e dhomës së Shtëpisë së Bardhë, ku u mbajt mbledhja, fiksuan momentet kur shefit të Shtëpisë së Bardhë i mbylleshin sytë, teksa sekretarët e administratës raportonin.
Mbledhja e gjatë, që arriti gati 3 orë, ritmi intensiv i punës, por edhe 79 vitet mbi supe, mund të kenë ndikuar që lodhja ta mbërthente presidentin amerikan mbi tavolinën e punës.
Megjithatë, ka ndodhur edhe herë të tjera që Trump është përgjumur në zyrë; rasti më i fundit ishte më 6 nëntor në zyrën e tij, kur, ashtu si në mbledhjen e së martës, po fliste sekretari i Shëndetësisë, Robert Kennedy.
Pas këtyre episodeve, mediat ngritën dyshime për gjendjen shëndetësore të presidentit. Megjithatë, ai dhe Shtëpia e Bardhë kanë mohuar se këto kanë qenë raste përgjumjeje dhe kanë deklaruar se shëndeti i tij është i shkëlqyer.

