Trump po mendon rihapjen: Kam autoritet të plotë të vendos për shtetet

Presidenti amerikan këmbëngul se ka autoritetet të plotë për të lehtësuar kufizimet ndaj pandemisë së COVID-19, në kundërshti me atë që thonë guvernatorët dhe ekspertët ligjorë.
Republikani deklaroi të hënën në konferencën e përditshme, se administrata e tij po finalizonte planin për rihapje të ekonomisë amerikane, e cila është dëmtuar rëndë për shkak të krizës.
Ai sinjalizoi se 1 Maji mund të jetë një datë e mundshme kthese. Por kur gazetarët ngritën dyshimet mbi faktin nëse Trump ka autoritetin për t’iu imponuar autoriteteve lokale lidhur më urdhrin e qëndrimit në shtëpi, ai u kundërpërgjigj.
“Po jua them shumë thjeshtë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka autoritetin të marrë vendimet. Është ai që vendos”, tha Donald Trump.
Por Kushtetuta amerikane thekson se janë shtetet ato që ruajnë rendin dhe sigurinë e publikut, edhe ekspertët ligjorë pohojnë se presidenti nuk ka autoritetin për të përmbysur kufizimet e shëndetit publik, të vendosura nga shteti apo në nivel lokal.
Numri një i Uashingtonit u përplas edhe me mediat, duke i kritikuar për mënyrën se si kishin raportuar lidhur me krizën.
Ndërkohë, guvernatorët e disa shteteve po diskutojnë rinisjen e aktivitetit ekonomik, pa u konsultuar me administratën Trump. Zyrtarë në Nju Jork, Nju Xhersi, Rode Island, Konektikat, etj premtuan se do të kenë një rihapje të përmbajtur, edhe pse nuk caktuan një afat.
Shtetet e Bashkuara janë tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit me mbi 680 mijë raste dhe më shumë se 23 mijë e 600 vdekje të konfirmuara. Vetëm Nju Jorku ka gati 200 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë vdekje, por guvernatori Andrew Cuomo pretendon se më e keqja ka kaluar.