75 Mall Live Search
20:47 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / Gj. Sh

Trump publikon letrën drejtuar Japonisë dhe Koresë së Jugut/ Nga 1 gushti hyjnë në fuqi tarifat tregtare prej 25%

Dy ditë nga afati i fundit, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se nga sot do të nisë dërgimet e letrave zyrtare për vendosjen e tarifave të reja tregtare ndaj partnerëve ndërkombëtarë të SHBA-së.

Ai u shpreh se do të jenë 12 deri në 15 letra, ndërsa disa marrëveshje janë finalizuar tashmë. Edhe pse më herët ishte parashikuar që tarifat të hynin në fuqi më 9 korrik, Trump nuk dha një datë të saktë, duke thënë vetëm se ‘shumica do të jenë të përfunduara’ deri atëherë.

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, deklaroi se tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Trump kishte paralajmëruar më parë tarifa bazë prej 10%, me mundësi rritjeje deri në 50%.

Në platformën e tij Truth Social, ai konfirmoi se letrat do të nisin të dërgohen nga ora 12:00 me orën evropiane dhe paralajmëroi një tarifë shtesë prej 10% për vendet që mbështesin politikat ‘anti-amerikane’ të bllokut BRICS.

Lajmi ka shkaktuar lëkundje në tregjet aziatike, me indekset kryesore që shënuan rënie të lehtë për shkak të paqartësive mbi afatet dhe përmbajtjen e tarifave.