75 Mall Live Search
19:29 / E Enjte, 29 Janar 2026 / F.R

Trump: Rusia pajtohet me armëpushim të pjesshëm

Rusia është pajtuar me armëpushim të pjesshëm për t’i ndalur të gjitha sulmet në disa qytete të Ukrainës për një javë, ka njoftuar presidenti amerikan Donald Trump.

Presidenti amerikan ka thënë në një mbledhje të kabinetit se i ka kërkuar Vladimir Putinit “të mos gjuajë në Kiev dhe qytete të tjera për një javë”. Sipas Trumpit, “Putini është pajtuar me këtë”.

Sipas Trumpit, kërkesa e tij ka qenë për shkak të temperaturave të ulëta me të cilat po përballen ukrainasit, në kohën kur Rusia ka goditur infrastrukturën kritike duke lënë shumë ukrainas pa ngrohje.

“Personalisht i kam kërkuar presidentit Putin të mos gjuajë në Kiev dhe në qytetet dhe qytezat për një javë gjatë… këtij të ftohti të jashtëzakonshëm”, ka thënë Trumpi. “Ai u dakordua me këtë”.

Duke komentuar bombardimet e sistemit energjetik të Ukrainës, Trumpi ka thënë se Putini “bën mirë” që i ndalon sulmet.

“Ata nuk kanë përjetuar kurrë të ftohtë të tillë”, ka thënë Trumpi.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Rusia nëse do t’i ndalë sulmet. Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Moska po planifikon sulme në shkallë më të gjerë, pavarësisht bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Putini edhe më herët ka pasur marrëveshje me Trumpin, por më vonë dakordimet hidheshin poshtë.