Trump: SHBA dhe Meksika do të negociojnë për tarifat

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për një periudhë negociuese prej 90-ditësh me Meksikën, pas një bisede telefonike që zhvilloi me homologen meksikane, Claudia Sheinbaum, ndërkaq tarifat prej 25 për qind tha se do të mbesin në fuqi.
Trump tha përmes një postimi në Truth Social se biseda me Sheinbaum ishte “shumë e suksesshme, në kuptimin që gjithnjë e më shumë po njihemi dhe po e kuptojmë njëri-tjetrin”.
Ai shtoi se mallrat nga Meksika që importohen në SHBA do të vazhdojnë të përballen me tarifën prej 25 për qind, të cilën presidenti amerikan e ka lidhur me trafikimin e fentanilit. Trump tha se industria e automjeteve do të përballet me tarifë prej 25 për qind, ndërkaq bakri, alumini dhe çeliku do të taksohen me 50 për qind.
Trump tha se Meksika do t’i japë fund “barrierave tregtare jotarifore”, por nuk dha më shumë detaje.
Disa mallra vazhdojnë të mbrohen nga tarifat përmes Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) të arritur më 2020, të cilën Trump e negocioi gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Megjithatë, presidenti amerikan duket se nuk është i kënaqur me këtë marrëveshje, e cila prite të rinegociohet vitin e ardhshëm.
Një nga veprimet e tij të para të mëdha pasi nisi mandatin e dytë presidencial ishte vendosja e tarifave për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja më herët gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë, SHBA-ja kishte një deficit tregtar prej 171.5 miliardë dollarësh me Meksikën vitin e kaluar – që do të thotë se SHBA bleu më shumë mallra nga Meksika sesa që shiti në atë shtet./ REL