Trump: Shpresoj që Rusia të bëjë gjënë e duhur lidhur me Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se i dërguari i tij i posaçëm amerikan Steve Witkoff po zhvillon bisedime serioze me Rusinë lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Shpresojmë se ata do të bëjnë gjënë e duhur”, u tha Presidenti Trump gazetarëve gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Ai tha se “sinjalet që po vinin nga Moska ishin të mira” duke iu referuar propozimit amerikan për armëpushim 30 ditor të luftës, por ai ofroi optimizëm të kujdessshëm në lidhje me deklaratën e Presidentit rus Vladimir Putin se ai pajtohet në parim me marrëveshjen, por se i duhen bërë ndryshime në përmbajtje.
Trump tha se “mbetet të shohim nëse Rusia do të shkojë atje (armëpushimi). Nëse nuk është gati, do të jetë një moment shumë zhgënjyes për botën”.
Duke folur me gazetarët gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidenti Trump përsëriti se ai ishte i gatshëm të bisedonte me udhëheqësin rus Vladimir Putinin dhe nënvizoi se ishte koha për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti Trump tha se nuk mendon se Rusia do të sulmojë aleatët e Shteteve të Bashkuara
“Kjo nuk do të ndodhë. Ne do të sigurohemi që kjo të mos ndodhë”, tha ai.
Witkoff do të takohet me Putin të enjten në mbrëmje, njoftuan mediat amerikane, duke cituar gazetën shtetërore ruse të lajmeve ‘Izvestia’.