Trump: Të premten e ardhshme do të takohem me Putinin në Alaskë

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump tha se të premten e ardhshme më 15 gusht do të takohet me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Alaskë.
“Takimi shumë i pritur mes meje, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Presidentit Vladimir Putin, i Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në Shtetin e Madh të Alaskës. Detaje të mëtejshme do të publikohen. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” shkroi ai në platformën e tij të mediave sociale, transmeton IndeksOnline.
Më herët, ai kishte lënë të kuptohej për kohën dhe vendndodhjen e takimit.
“Do të kemi një takim me Rusinë. Do ta fillojmë me Rusinë dhe do të shpallim një vend. Mendoj se vendi do të jetë shumë i njohur për shumë arsye. Por do ta shpallim pak më vonë. Thjesht nuk dua ta bëj tani për shkak të rëndësisë së asaj që sapo bëmë,” tha Trump ndërsa priti liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë për një samit paqeje.
I pyetur nëse kjo është mundësia e fundit e Rusisë për të arritur paqen, Trump u përgjigj: “Nuk më pëlqen të përdor termin ‘mundësia e fundit.’”
“Më thotë instinkti im se kemi një shans. Do ta kuptoni më vonë, ndoshta edhe sot, por kemi një shans,” tha ai.