75 Mall Live Search
17:01 / E Diele, 14 Qershor 2026 / F.R

Trump thotë se arrëveshja SHBA-Iran do të nënshkruhet të dielën, ndërsa Teherani vë në dyshim afatin

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet të dielën, megjithëse Irani ka shprehur dyshime për afatin e finalizimit.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump tha se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet për të gjithë trafikun detar.

“Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe sapo të nënshkruhet, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë,” shkroi ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, u tregua më i rezervuar, duke deklaruar se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit nuk pritet të ndodhë të dielën.

“Duhet të presim për datën e saktë të nënshkrimit. Megjithatë, ajo nuk do të jetë nesër,” tha ai, raporton BBC.

Sipas mediave iraniane, një delegacion nga Katari, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues në negociata, mbërriti të dielën në Teheran.

Edhe Pakistani, një tjetër ndërmjetës kyç në bisedime, njoftoi se marrëveshja mund të finalizohet brenda 24 orëve dhe se po përgatitet për nënshkrimin elektronik të saj.

Trump tha gjithashtu se pas stabilizimit të situatës, SHBA-ja do të merret me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, të cilat ai i quajti “pluhur bërthamor”, duke shtuar se ato do të shkatërrohen.

Marrëveshja, sipas deklaratave të deritanishme, synon t’i japë fund konfliktit që shpërtheu pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, si dhe të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.