75 Mall Live Search
10:06 / E Martë, 28 Janar 2025 / Z S

Trump thotë se Microsoft-i është në bisedime për blerjen e Tik-Tok-ut

Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se kompania Microsoft është në bisedime për blerjen e Tik-Tok-ut, duke shtuar se do të dëshironte të shihte një betejë ofertash për këtë aplikacion.

Kompania e teknologjisë, Microsoft nuk ka komentuar për këtë pohim të Trumpit. As Tik-Toku e as ByteDance, që ka pronësi aplikacionin, nuk kanë komentuar po ashtu.

Tik-Tok-u, që ka afër 170 milionë përdorues amerikanë, përkohësisht u ndalua para se ligji që i kërkon pronarit kinez, ByteDance, ta shiste ose do të ndalohej në Shtetet e Bashkuara të hynte në fuqi, më 19 janar.

Pasi mori mandatin e presidentit më 20 janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar shtyrjen për 75 ditë të zbatimit të ligjit, i cili thirret në shqetësimet për sigurinë kombëtare.

Trump tha javën e kaluar se ai ishte duke biseduar me disa njerëz lidhur me blerjen e TikTok-ut dhe do të dëshironte që vendimi për të ardhmen e aplikacionit popullor të merrej brenda 30-ditësh.

Presidenti amerikan më herët ka thënë se është i hapur që miliarderi Elon Musk ta blejë aplikacionin, nëse pronari i Tesla-s dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Musk nuk ka komentuar publikisht këtë deklaratë të presidentit Trump.

Kjo është hera e dytë që Microsoft-i lidhet me blerjen e mundshme të Tik-Tok-ut.

Gjatë mandatit të parë si president, Trump kishte kërkuar që Tik-Tok-u të ndante versionin për SHBA-në nga ByteDance, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.

Më 2020, Microsoft ishte ofertuesi kryesor, por bisedimet për blerjen e aplikacionit dështuan./Indeksonline/