75 Mall Live Search
16:13 / E Diele, 06 Korrik 2025 / FR

Trump vendos afat për marrëveshje tregtare – bota në pritje të 9 korrikut

Afati i fundit i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare me Shtetet e Bashkuara skadon më 9 korrik, duke krijuar pasiguri të madhe në tregjet ndërkombëtare.

Trump kishte paralajmëruar më 2 prill vendosjen e tarifave ndaj shumë shteteve, por më vonë e pezulloi vendimin për tre muaj pas reagimeve negative të tregjeve globale.

Tani, me afatin që po afrohet, vetëm tre shtete kanë arritur marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në — përfshirë edhe Vietnamin, megjithëse detajet e kësaj marrëveshjeje ende nuk janë bërë publike.

Situata mbetet e paqartë edhe për vetë Shtëpinë e Bardhë. Trump ka deklaruar se “nuk është ende i sigurt” për hapat që do të ndërmarrë pas skadimit të afatit, duke përmendur mundësinë e zgjatjes për ato vende që “negociojnë me mirëbesim”, ose edhe vendosjen e menjëhershme të tarifave.

Për më tepër, presidenti njoftoi se do t’u dërgojë letra liderëve botërorë brenda kësaj jave dhe paralajmëroi rritje të mundshme të tarifave për vendet që nuk kanë arritur marrëveshje me SHBA-në.