75 Mall Live Search
09:11 / E Martë, 08 Korrik 2025 / A. M.

Trump vendos tarifa për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 35% për importet nga Serbia dhe 30% për Bosnjë e Hercegovinën, të cilat do të hyjnë në fuqi, më 1 gusht. Këto tarifa janë pjesë e një mase reciproke të paralajmëruar më parë në prill.

Në një letër drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Trump theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë bashkëpunimin tregtar me Serbinë, por paralajmëroi për tarifa edhe më të larta nëse Beogradi hakmerret. Ai shtoi se kompanitë serbe mund të shmangin tarifat duke prodhuar brenda SHBA-së.

Një letër e ngjashme iu dërgua edhe kryetarit të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Cvijanoviq, për tarifën 30% ndaj importeve nga ky vend.

Përveç këtyre, Trump shpalli tarifa për disa vende të tjera, përfshirë: Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin (25%), Afrikën e Jugut (30%), Indonezinë (32%), Bangladeshin (35%), Kamboxhian dhe Tajlandën (36%), si edhe Laosin dhe Mianmarin (40%).