Trump vendos tarifa të reja gjithëpërfshirëse për dhjetëra vende

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për vendosjen e tarifave për importet nga dhjetëra vende partnere tregtare, të cilat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.
Normat e reja, të cilat Trump i sheh si në dobi të eksportuesve amerikanë, shkaktojnë një valë të re pasigurie për dhjetëra vende, përfshirë aleatët e hershëm të SHBA-së. Ato gjithashtu kanë rritur frikën e inflacionit në SHBA.
Në urdhrin ekzekutiv, Trump ka rritur normën e tarifave të Kanadasë nga 25% në 35%, e cila hyri në fuqi në mesnatë, megjithatë shumica e mallrave kanadeze do të përjashtohen për shkak të një traktati tregtar ekzistues.
Urdhri theksonte se Kanadaja nuk ka bashkëpunuar në frenimin e fluksit të fentanilit në SHBA. Po ashtu, vetëm një ditë më parë, Trump kërcënoi Kanadanë për vështirësinë e arritjes së një marrëveshje tregtare, pas deklaratave të Kanadasë për të njohur në muajin shtator Palestinën si shtet.
Disa nga vendet më të varfra dhe më të shkatërruara nga lufta në botë u goditën me norma ndëshkuese, përfshirë Sirinë, e cila përballet me një taksë prej 41%; Laosin dhe Mianmarin me norma prej 40%; Libinë me një normë prej 30%; Irakun me 35% dhe Sri-Lankën me 20%. Vendi i vogël afrikan, Lesoto, mori një normë të modifikuar tarifore prej 15% – ai ishte lënë i tronditur në prill nga kërcënimi i një tarife prej 50%, më e larta nga çdo partner tregtar i SHBA-së.
Trump e njoftoi për herë të parë planin e tij tarifor në prill, duke shkaktuar kaos në ekonominë botërore. Por ai e ndaloi atë në mënyrë që vendet të mund të negocionin marrëveshje të reja tregtare.
Tarifat nënkuptojnë se kompanitë që sjellin mallra të huaja në SHBA do të duhet t’i paguajnë taksat qeverisë dhe ekspertët thonë se këto kompani mund t’ua kalojnë kostot konsumatorëve.
Tarifat për 68 vende dhe Bashkimin Evropian me 27 anëtarë do të hyjnë në fuqi brenda shtatë ditësh, sipas urdhrit, dhe jo afatit të së premtes që presidenti vendosi fillimisht. Zgjatja pasqyron nevojën e qeverisë për më shumë kohë për të harmonizuar tarifat, sipas një zyrtari të lartë që foli me gazetarët në kushte anonimiteti.